Deklarata e Pavarsise se Kosoves – Kosova Sot

“Si e shkrova për 15 orë Deklaratën e Pavarësisë”

Para bukurshkrimit të deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, tri ditë më parë, profesori i njohur, studiuesi, pedagogu dhe themeluesi i art-dizajnit në Universitetin e Prishtinës, Shyqri Nimani, ka shkruar edhe dekoratat e çmimeve “Honoris causa” për Bill Klinton apo Kushner. Por këto janë shumë pak para CV-së së tij të gjatë akademike dhe artistike. Për 15 orë të tëra, grafisti i njohur, Shyqri Nimani, ka arritur që shkronjat e Deklaratës që Kosovën e bëri Republikë t`i radhisë në pergamenën prej lëkure viçi, të shkruar sipër me bojë të zezë. Po çfarë shkrimi përzgjodhi profesori për të bukurshkruar këtë akt të rëndësishëm, kur filloi punën, ku e shkroi, çfarë huazimesh ka përdorur, kur e dorëzoi dhe si ndihet këto kohë që deklarata është nënshkruar nga anëtarët e parlamentit. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama”, Nimani tregon çdo detaj të hollësishëm për hartimin e kësaj deklarate.

Profesor Nimani, tashmë jeni autor i shkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Kush jua bëri ftesën për ta shkruar këtë akt?
Ftesa më erdhi nga drejtuesi i Muzeut të Kosovës, Arbër Hadri, i biri i historianit të njohur Ali Hadri, i cili kishte marrë përsipër këtë iniciativë për shkrimin e Deklaratës së Pavarësisë nga kryeministri. Dhe ai në bashkëpunim me Muzeun e Londrës bëri përzgjedhjen e materialeve, që do të thotë pesë copë pergamena dhe boja e zeza, e cila është speciale për t’u shkruar në pergamenë.
Kur jeni njohur për herë të parë me tekstin që do të shkruanit?
Do të thotë që dokumentin për Deklaratën për Pavarësinë e Kosovës unë e kam marrë vetëm 24 orë para leximit të tij në Parlament nga Kryeministri Hashim Thaçi. Por përgatitjet për të janë bërë dy javë më parë. D.m.th përgatitje teknike: për ta punuar e realizuar këtë dokument se si do të bukurshkruhet në pergamenë, që është lëkurë origjinale kafshe. Disa kanë menduar se duhet të shkruhet me kompjuter dhe të printohet në letër të posaçme, por kjo gjë do të ishte shumë banale, aq më tepër që nuk ka jetë të gjatë.
Sa kohë iu është dashur për ta kaligrafuar Deklaratën e Pavarësisë?
Unë i kërkova Kryeministrit Hashim Thaçi të kem në dispozicion tri ditë për ta kaligrafuar këtë tekst, por kjo nuk ishte e mundur, për arsye se përpilimi i tekstit të kësaj deklarate për Pavarësinë e Kosovës është dashur të mbahet sekret deri 24 orë para shpalljes së tij. Kështu në orën 21:30, më 16 shkurt, ditën e shtunë ma kanë dhënë tekstin.
Sa i gjatë ishte teksti që do të shkruanit?
Për befasinë time, teksti nuk ishte një faqe e gjysmë A4, siç më kishin thënë, por ishte katër faqe të plota A4 dhe ndoshta duhej të kaligrafohej në tri gjuhë dhe kjo ishte një sfidë e jashtëzakonshme për mua. Aq më tepër që unë nuk mund ta punoja në studion time, por në zyrën e Kryeministrit në qeveri. Por në të vërtetë unë kur e kam marrë tekstin e kam marrë në shtëpinë time dhe e kam shkruar në zyrën e kryeministrit.
Thatë se përgatitjet për hartimin e kësaj deklarate kanë nisur dy javë më parë. E kujt ishte ideja e përpilimit të tij, qoftë edhe për materialet që do përdoreshin?
Gjithë ideja ishte e imja, meqë kam vite që merrem me kaligrafi dhe jam themelues dhe shef i katedrës në Universitetin e Prishtinës për dizajn grafik. Më është dashur kohë të mendoj me detaje përpilimin e veçantë dhe në mënyrë të posaçme të kaligrafisë, pasi më është dashur të hartoj mjaft mirë se si do të ndahej teksti dhe ku do të nënshkruanin 120 anëtarët e Parlamentit. Dhe për këtë vendosa që shkrimin ta ndaja në dy pergamena, në fund të faqes së dytë të nënshkruanin tre emrat Presidenti, Kryeministri dhe Kryetari i Parlamentit dhe pas saj të nënshkruanin anëtarët e tjerë. Ia parashtrova Kryeministrit dhe i thashë që nuk mund të ndërrohej asnjë presje më pas, pasi gjithçka duhej të konceptohej në hapësirën e dy sipërfaqeve të pergamenit që mbante dimensione 80 me 50 cm.
Kur keni filluar  punën  në të vërtetë?
Unë kam nisur punën në 24:00 të natës dhe nuk kam dalë prej zyrës deri të nesërmen, kur kam përfunduar gjithë kaligrafimin e Deklaratës së Pavarësisë. As nuk kam ngrënë mëngjes, as nuk kam ngrënë drekë, por vetëm kam pirë ujë, kjo sepse nuk mund të veproja pa përfunduar këtë detyrë. Gjatë kohës së shkrimit ka ardhur disa herë Kryeministri Thaçi, duke parë se si shkonin punët. Duhet që gjithë shkrimin e deklaratës ta përfundoja deri në orën 14:30 minuta, dhe gjatë kohës kur isha drejt fundit të tij, isha tepër i frikësuar për herë të parë në jetën time, mendoja se do të dështoja se nuk do ta përfundoja tekstin së shkruari të gjithë. I kërkova Thaçit edhe dhjetë minuta shtesë dhe ai ta merrte dhe ta lexonte në orën 15:00 në Parlament.
Ju kur e dorëzuat?
Meqenëse Parlamenti dhe zyra e kryeministrit janë shumë afër, në 14:55 e morën dhe i çuan këto pergamene kryeministrit, të cilat ai i lexoi më pas.
Ku ndodheshit kur u nënshkrua deklarata në Parlament?
Unë nuk shkova në Parlament, sepse isha tepër i lodhur, i pagjumë dhe aq më tepër i paveshur, kështu që m’u desh ta ndiqja nga televizori në shtëpi këtë sukses të jashtëzakonshëm dhe momentin kur filluan ta nënshkruanin anëtarët e Parlamentit.
Çfarë lloj lëkure është pergamena në të cilin është shkruar Deklarata e Pavarësisë dhe lloji i shkrimit?
Pergamenat i kemi pasur të lëkurave të ndryshme, në dy a tri lloje, por ajo që është shkruar është lëkurë viçi.Për sa i përket llojit të shkrimit, kemi përdorur tipin e shkronjave italic, korsiv. Kjo një ide e imja, pasi është shumë i bukur si shkrim dhe shkruhet shpejt. Për shkronjat kam përdorur katër pend (kaligraf), që ishin në katër madhësi të ndryshme, ndërsa trashësia e shkronjave që duhej të përdorej ishte vetëm 2 milimetra. Por unë po të kisha pasur pak më tepër kohë, mund ta bëja edhe më mirë, pasi kam qenë i përgatitur që deklaratën ta ilustroj me iniciale dhe ornamente florale, por kjo ishte e pamundur.
Pse është zgjedhur ngjyra e zezë?
E zeza karbon është më e rezistueshme se sa ngjyrat e tjera, të cilat përdoren në të tilla raste, siç është e kuqja, e kaltra dhe e verdha. E zeza e ka pigmentin më të fuqishëm dhe vlerën 100 për qind. Ngjyra e pergamenës është afërisht si ngjyrë banane, ngjyrë okën.
A keni huazuar prej diku, qoftë nga akti i pavarësisë së Amerikës, idenë e përgatitjes së aktit të pavarësisë?
Më ngushëllon fakti se Deklarata e Pavarësisë së SHBA-së e shekullit të XVIII, të cilën unë e kam, e kanë shkruar me ngjyrë të zezë dhe pa asnjë zbukurim. Ndonëse është bërë në kohë të ndryshme, pak a shumë veglat në këtë kohë janë më moderne, pothuaj janë të njëllojta, për faktin se janë të thjeshta, por edhe për gjatësinë e tekstit të deklaratës.
Si ka qenë procesi i kaligrafimit?
Pergamena nuk preket me gisht dhe për të duhet të kesh shumë kujdes, pasi nëse preket atëherë nuk mund të shkruhet qartë në të. Unë për të shkruar kam përdorur gjithmonë mbi të letra të mëdha, të mos e prekja dhe pothuajse kam ndenjur në këmbë gjatë procesit të shkrimit, për të evituar prekjen e paduhur. 
Për çfarë do ta veçonit këtë deklaratë?
Dokumenti ka tri rëndësi: një është vlera dhe rëndësia politike. Në tekst nuk kam gabuar të bëj asnjë gabim në shkronjë e jo më pastaj në fjalë. E dyta, sigurohet jetëgjatësia tekniko-materiale për të cilën ne kemi zgjedhur qoftë pergamenat, qoftë bojën me të cilën është shkruar. Dy të parat janë arritur, por edhe pamja estetike, bukuria e realizimit, jo se jam modest, por mendoj se si e kam parashikuar mund të ishte shumë i bukur i ilustruar me iniciale me ornamentikë dhe me ngjyra dekorative. Por gjithsesi besoj se të gjitha janë arritur tashmë.
Keni gabuar gjatë shkrimit, a keni hedhur në kosh ndonjë pergamenë, duke pasur parasysh se kemi pasur pesë të tilla?
Jo, s’kam gabuar, sepse s’kam pasur kohë as për ta lexuar më parë tekstin. Me vete kam pasur djalin tim, i cili së bashku me drejtorin e Muzeut Kombëtar më kanë ndihmuar gjatë leximit të tekstit ngadalë dhe unë e kam shkruar.
Sa jetëgjatësi ka pergamena dhe ku do të ruhet?
Jetëgjatësia e tij është tepër e madhe, dhe këtu do të shtoja se është keqkuptuar fakti se pergamena është 700-vjeçare. Nuk mund të ketë pergamenë që të përgatitet para 700 vjetësh dhe të shkruhet më pas, jetëgjatësia e tij është tepër e madhe. Duhet të ruhet në vend pa lagështi. Ndaj edhe ambientet e sigurimit të tij janë të mëdha, pasi do të vendoset në Muzeun e Kosovës.
Është menduar për kopje të tjera, apo do të jetë unike?
Në fakt është kërkuar të bëhej dy apo tri kopje, një të vendosej në Thesarin e shtetit, qoftë edhe një në Vlorë, pranë aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, por kjo nuk është e mundur. Ne do ta skanojmë dhe do ta printojmë në shumë kopje, që edhe t’i botojmë t’i ketë populli i thjeshtë.
Thatë se kishit frikë në momentet kur po e shkruanit Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Po sot që është e përfunduar, si ndiheni?
Tani e ndjej veten shumë të çlodhur prej gjithë atij tensioni të madh që kisha. Sepse në fund kur e kryen punën sado që është e nivelit të lartë, ndihesh i kënaqur që puna është kryer. Në historinë tonë do të jetë e pavdekshme kjo deklaratë. Neve edhe e kemi fotografuar dhe sot shumë gazeta e kanë paraqitur, qoftë edhe ajo japoneze “Asahi shimbun”, gazetë që ka tirazhin më të madh në botë prej 8 milionë kopjesh.

See also  Gripi i derrit HIN1, i rrezikshëm për fëmijët dhe shtatzënat, ndryshe nga COVID-19

Anila Mema Gazeta Panorama

Leave a Reply