Ndikimi i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në Integrimin Evropian të Shqipërisë – EU Policy Hub

ROVENA
LIPE

Jurist

Përmbledhje

Shteti Shqiptar në
përmbushje të objektivave të tij gjeopolitike, për t’u integruar dhe për t’u bërë
pjesë e Bashkimit Evropian, është duke plotësuar kriteret e vendosura nga
Bashkimi Evropian, të njohura si kriteret politike të Kopenhagenit. Këto
kritere përfshijnë:

  • institucione
    të qëndrueshme që garantojnë demokracinë, shtetin e së drejtës, të drejtat e
    njeriut, respektimin dhe mbrojtjen e minoriteteve;
  • një
    ekonomi tregu funksionale, si dhe aftësinë për të përballuar presionin e
    konkurrencës dhe forcat e tregut që veprojnë brenda Bashkimit Europian;
  • aftësinë
    për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit, në mënyrë të veçantë objektivat
    politike, ekonomike dhe të bashkimit monetar.

Me plotësimin e këtyre
kritereve fillojnë negociatat të cilat kanë një rëndësi po aq të madhe sa dhe përmbushja
e kritereve politike. Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian,
është në këtë fazë të rëndësishme që prej datës 25 mars 2020, kur Këshilli
Evropian vendosi hapjen e negociatave për futjen e Shqipërisë në Bashkimin
Evropian.

Acquis communautaire
dhe të Drejtat  e Njeriut

Një prej kritereve
detyrues të rëndësishëm të Kopenhagenit, është përafrimi i legjislacionit shqiptar
me legjislacionin Evropian. Neni 70 i MSA-së, i përcakton këtë detyrim
Republikës së Shqipërisë.

Njëkohësisht, përveç
detyrimit të përafrimit të plotë të legjislacionit shqiptar me legjislacionin e
Bashkimit Evropian edhe zbatimi i plotë dhe efektiv i tij, është një kusht tjetër,
pjesë e kritereve të Kopenhagenit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Procesi i negociatave të anëtarësimit, është në vetvete procesi i përafrimit të
legjislacionit shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Përafrimi i
legjislacionit të brendshëm me acquis të BE-së, konsiston në këto hapa:

• Analiza e legjislacionit të Bashkimit Evropian;

• Identifikimi i mangësive/akteve kontradiktore të
legjislacionit shqiptar;

• Hartimi ose rishikimi i akteve shqiptare të përafruara;

• Monitorimi i zbatimit të legjislacionit të përafruar.

Sot, shteti
shqiptar raporton për rreth 33 kapituj në fusha të ndryshme dhe njëri prej
kapitujve shumë të rëndësishëm për të cilin ka një fokus të veçantë nga ana e
Bashkimit Evropian, është Kapitulli i 23-të, “Gjyqësori dhe të Drejtat e Njeriut”.

Qeveria shqiptare përditësoi
ndryshimet e fundit sa i përket reformave në Gjyqësor, ku ndër të tjera, një
set i gjerë ligjesh janë miratuar sa i përket reformës në Gjyqësor. Këto ligje
janë miratuar me frymën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, bazuar në
parimet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe në ndikimin e
legjislacionit Evropian.

Rëndësia e Konventës Evropiane të të Drejtave të
Njeriut

Mbi bazën  e kërkesës së ngritur në Kongresin e Hagës
(1948), për krijimin e Kartës së të Drejtave të Njeriut, e cila do të përdorte mekanizmat
e përbashkët për mbrojtjen e të drejtave individuale si bazë për fillimin e një
procesi që çon në unifikimin politik të Evropës Perëndimore, ky qëllim u arrit përmes
ngritjes së sistemit për mbrojtjen e të drejtave të ofruara në mënyrë dinjitoze
nga KEDNJ. Kjo shihet qartë në Preambulën e kësaj Konvente e cila përshkruan
mbrojtjen e të drejtave të njeriut si një mjet për “arritjen e unitetit më të madh” midis shteteve evropiane. Konventa
u krijua për të ndërtuar një konsensus të rëndësishëm për arritjen e qëllimit
kryesor të integrimit Evropian.

Si pjesë e parë e
një kushtetute evropiane, KEDNJ-ja, jo vetëm që ka dhënë një kontribut të madh
në harmonizimin e së drejtës së brendshme të vendeve anëtare në fushën  e procedurës civile dhe penale, por gjithashtu
ajo vazhdon të sigurojë dhe t’u ofrojë shteteve pjesë të Ballkanit Perëndimor, një
praktikë për afrimin e këtyre vendeve me Evropën. Gjykata Evropiane e të
Drejtave të Njeriut, është e saktë në cilësimin e KEDNJ-së si një instrument për
të krijuar dhe për të siguruar angazhimin e palëve kontraktuese rreth një qëllimi
të përbashkët evropian në qeverisjen e punëve të brendshme.

See also  Protesta e studentëve që filloi më 8 dhjetor 1990

Konventa Evropiane
për të Drejtat e Njeriut mbron të drejtat e qytetarëve të shteteve që kanë
ratifikuar Konventën dhe protokollet shtesë të saj si pjesë të legjislacionit
të tyre, duke vendosur në këtë mënyrë shtetin e së drejtës.

Gjykata Evropiane
për Të Drejtat e Njeriut në mbrojtje të të drejtave themelore të qytetarëve
evropianë, shqyrton çështjet e paraqitura nga qytetarët e shteteve të cilët
kanë ratifikuar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Shqipëria e ka
ratifikuar këtë Konventë në vitin 1996 nëpërmjet miratimit të ligjit nr.8137,
datë 31.7.1996[1].

Vendimet e
Gjykatës kanë një rëndësi themelore për legjislacionin evropian sa i përket
mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut. Nga ana tjetër, asnjë zhvillim i
suksesshëm i legjislacionit kombëtar në fushën e të drejtave të njeriut, nuk
është i mundur jashtë standardeve të KEDNJ-së.

Legjislatori
shqiptar e ka vlerësuar këtë ligj si një prej ligjeve themelore pas
kushtetutës, KEDNJ ka një status
kushtetues ose kuazi kushtetues, vetëm përsa i takon kufizimit të mbrojtjes së
të drejtave të Njeriut.[2]

 Vendimet e GJEDNJ-së për Shqipërinë botohen në
fletoren zyrtare, aty ku botohen dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese e vendimet
unifikuese të Gjykatës së Lartë. Ekzekutimi i këtyre vendimeve bëhet nëpërmjet
një vendimi të Këshillit të Ministrave.

Ekzekutimi i vendimeve
është i përcaktuar me afate të mirë vendosura duke identifikuar dhe
institucionin i cili ka detyrimin për ekzekutimin e vendimit sipas gjetjeve të GJEDNJ-së.

KEDNJ dhe Bashkimi Evropian mbi të Drejtat e Njeriut

Një ndër të
drejtat e njeriut, e vlerësuar në legjislacionin e Bashkimit Evropian si një e
drejtë themelore e rëndësishme, është e drejta e pronësisë e cila është vendosur
në nenin 1 të Protokollit të parë shtesë të KEDNJ-së. Në Shqipëri, e drejta e
pronës është shumë e njohur, për shkak të problematikave që ka sjellë ndër vite
shkelja e kësaj të drejte, e ndërthurur me nene të tjera si zgjatja e
procedurave administrative dhe gjyqësore lidhur me këtë të drejtë, bazuar në nenin
6/1 të Konventës[3],
si dhe mungesa e një mjeti efektiv për të gjetur një zgjidhje nga institucionet
e brendshme vendim marrëse, e bazuar kjo në nenin 13 të Konventës[4].

Lidhur me këtë
fushë, GJEDNJ ka luajtur një rol të rëndësishëm nëpërmjet praktikës së saj të
konsoliduar në përmirësimin e legjislacionit shqiptar, duke e përafruar atë me standardet
evropiane. Vendimi pilot “Manushaqe Puto
k. Shqipërisë”, vendim i datës 30 Korrik 2012, shqyrton gjerësisht problematikën
e pronave në Shqipëri, sa i përket kompensimit të ish-pronarëve të cilëve u
ishte shkelur e drejta mbi pronën e tyre në zbatim të reformave të gabuara të
shtetit ish-komunist.

Autoritetet shqiptare
ndërmorën disa hapa lidhur me masat e përgjithshme të referuara në vendimin “Manushaqe Puto k. Shqipërisë” (2012), duke
adresuar të gjitha problematikat e ngritura në këtë vendim të GJEDNJ-së dhe
kanë theksuar më tej angazhimin e tyre lidhur me përfundimin  e procesit të kompensimit të ish pronarëve.
Qeveria shqiptare miratoi nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave, një
plan veprimi për zbatimin e masave që duhej të merreshin për finalizimin e
kompensimit të  ish pronarëve.

See also  “Të jenë të gjatë jo me pak se 170 cm dhe mesatare mbi 8” – Policia e Shtetit hap aplikimet për Akademinë e Sigurisë

Në bashkëpunim të
ngushtë me Këshillin e Evropës (në zbatim të projekteve për zbatimin  e vendimeve te GJEDNJ), u draftua ligji “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e
procesit të kompensimit të pronave”. Ky ligj u hartua bazuar në direktivat dhe
frymën e parimeve të jurisprudencës së konsoliduar të GJEDNJ-së. Kjo
jurisprudencë ka luajtur një rol të rëndësishëm frymëzues për ndryshimin e
legjislacionit.

Roli mbikëqyrës i Komitetit të Ministrave të Këshillit
të Evropës

Duke vlerësuar rëndësinë
e zbatimit të ligjeve të përafruara me legjislacionin e Bashkimit Evropian,
ngritja dhe funksionimi i institucioneve monitoruese ka vlerë të shtuar në
mbizotërimin e shtetit të së drejtës.

Një institucion
shumë i rëndësishëm i Këshillit të Evropës i cili mbikëqyr ekzekutimin e vendimeve
të GJEDNJ-së, është Komiteti i Ministrave ku nëpërmjet departamenteve, siç është
Departamenti i Ekzekutimit të vendimeve, 
monitoron ekzekutimin e vendimeve të GJEDNJ-së.

Në rast se
shkeljet e konstatuara të ngjashme përsëriten, atëherë Gjykata del me vendim
duke parashikuar përveç masave individuale edhe masa të përgjithshme, të cilat
më së shumti godasin legjislacionin në fuqi i cili është bërë një problem
sistematik, duke pas sjellë një mori çështjesh të ngjashme ku konstatohet e njëjta
shkelje e  të drejtave të njeriut.

Për këtë arsye,
kur problematika është bërë e përsëritur dhe një barrë e rëndë për qytetarët,
por dhe për buxhetin e shtetit, Gjykata del me një vendim pilot.

Nga ana tjetër
edhe Komiteti i Ministrave në procedurën 
e tij, i ndan vendimet sipas procesit të mbikëqyrjes. Në rast të
identifikimit të disa vendimeve me të njëjtën shkelje të konstatuar, atëherë
Komiteti vendos mbikëqyrjen e tij, sipas procedurës së përshpejtuar dhe rastet
e tjera sipas procedurës standarde. Në rastin e Shqipërisë, një prej vendimeve
që u ndoq me procedurë të përshpejtuar, është vendimi Pilot “Manushaqe Puto k. Shqipërisë”. Rezoluta
për mbylljen e monitorimit të ekzekutimit të këtij vendimi, ka qenë një sukses
për Shqipërinë e cila me ndihmën e institucioneve të Bashkimit Evropian, arriti
të përmbushë detyrimet sipas parimeve të KEDNJ-së.

Zbatimi me përpikmëri i detyrimeve

Duke iu referuar gjetjeve
të GJEDNJ-së, në vendimin “Manushaqe Puto k. Shqipërisë”, midis të tjerave kjo
Gjykatë u shpreh se: “legjislatori
shqiptar kishte bërë ndryshime në mënyrë periodike të ligjit të Pronave, duke
krijuar mungesë të sigurisë juridike në lidhje me pronën”. 

Mbi bazën e këtyre
gjetjeve dhe shumë të tjerave të renditura në vlerësimin  e Gjykatës, qeveria shqiptare hartoi një plan
veprimi[5]
konkret, lidhur me hapat që do të merrte për ekzekutimin e këtij vendimi në mënyrë
korrekte, sipas gjetjeve të GJEDNJ-së. Këtë plan veprimi e hartoi me mbështetjen
e përfaqësuesve të Komitetit të Ministrave dhe duke marrë miratimin e tyre,
filloi zbatimin e këtij plani duke krijuar dhe grupe pune ndërinstitucionale me
qëllim arritjen e rezultateve të kërkuara.

Qeveria shqiptare në
mënyrë periodike ka raportuar hapat e ndërmarra afat shkurtra ose afat mesme, lidhur
me ekzekutimin e vendimit pilot “Manushaqe
Puto k. Shqipërisë”, në mbledhjet e Komitetit të Ministrave në të cilat
diskutohet lidhur me ecurinë e ekzekutimit të vendimit. Në këto takime, Komiteti
del me një vendim duke vlerësuar hapat e ndërmarrë si dhe duke kërkuar dhe
rekomanduar hapa të tjerë specifikë për zbatimin e vendimit. Në rast të plotësimit
të të gjitha hapave të plan veprimit në mënyrë optimale, Komiteti i Ministrave
del me rezolutë për mbylljen e monitorimit të këtij vendimi nga ana e tij.

See also  Mbrojtja e lirive dhe të drejtave të njeriut – element themelor në funksionimin e shtetit modern

Zbatimi i vendimit
pilot “Manushaqe Puto k. Shqipërisë”  pati një proces të gjatë  ekzekutimi, duke vlerësuar periudhën  e daljes së tij me 30 Korrik 2012 dhe
mbylljen e mbikëqyrjes së tij nga Komiteti i Ministrave, në shtator 2018[6].
Kjo ishte një sfidë e vështirë për shtetin shqiptar për shkak të problematikës
së madhe që mbarte, por dhe faturës financiare për kompensimin e ish pronarëve
e cila referuar dhe vlerësimit të Fondit Ndërkombëtar, përbën një rrezik për
buxhetin[7]  e shtetit.

Produkti –  Një legjislacion
sipas parimeve të BE-së

Nën ndikimin e parimeve
dhe praktikës evropiane për mbrojtjen e të drejtës së pronës sipas vendimit “Sporrong dhe Lonnroth kundër Suedisë”,
si vendim i parë i shtrirjes së plotë të parimeve mbi të drejtën e gëzimit të
pronës nga ana e GJEDNJ-së dhe duke vazhduar me vendime të ngjashme për shkak
të rrethanave politiko-historike, si “Prada
kundër Rumanisë”, u hartua një mekanizëm efektiv mbi bazën e sigurisë
juridike dhe të proporcionalitetit.

Në fund të vitit
2015, parlamenti shqiptar miratoi ligjin nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të
pronave”. Ky ligj u krijua si domosdoshmëri pas gjetjeve të Gjykatës
Evropiane të të Drejtave të Njeriut lidhur me çështjen e Pronave në Shqipëri. Së
bashku me aktet nënligjore që pasuan, ky 
ligj u hartua me ndihmën e vyer të ekspertëve të Këshillit të Evropës si
dhe të Departamentit të Ekzekutimit të Vendimeve të GJEDNJ-së.

Vullneti për
zbatimin e këtij ligji nga Qeveria Shqiptare, solli mbylljen e monitorimit të çështjeve
të pronave që i përkasin grupit “Manushaqe
Puto”, në shtator 2018 dhe së fundmi dhe Gjykata Evropiane për të
Drejtat  e njeriut, doli me vendim “Beshiri dhe të tjerë kundër Shqipërisë”(
7 maj 2020), duke vlerësuar legjislacionin shqiptar për kompensimin e pronave për
ish pronarët, një mjet të brendshëm efektiv duke i shpallur kërkesat e ankuesve
në këto çështje të papranueshme. Në këtë mënyrë zgjidhja së brendshmi e çështjes
së pronave, është konfirmuar të jetë një mjet efektiv, duke evituar në këtë mënyrë
gjobitjen e shtetit shqiptar nga GJEDNJ, sipas pretendimeve të ankuesve.

Respektimi i të drejtave themelore të njeriut

Qeverisë shqiptare
dhe institucioneve kushtetuese, nuk i mbetet tjetër veç respektimi i ligjeve
tashmë të përafruar me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Ashtu siç shumë
teori evropiane shprehin se legjislacioni i Bashkimit Evropian është gjithmonë
në ndryshim edhe Shqipëria duhet të bëjë kujdes në përditësimin e ndryshimeve
në legjislacion, duke amenduar ligjet nëpërmjet përafrimit me legjislacionin e
BE-së në kohë reale. Kriteri i Kopenhagenit shprehet qartë: “ Çdo shtet
kandidat duhet të miratojë dhe zbatojë çdo ligj të Bashkimit Evropian. (Acquis communautaire)[8] .

Vullneti i të
gjitha institucioneve kushtetuese shqiptare, bashkëpunimi dhe përgjegjshmëria
mbi zbatimin e legjislacionit të miratuar, do të sigurojë hedhjen e hapave të mëtejshëm
në negociatat për integrimin evropian, duke arritur dhe qëllimin kryesor të
futjes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian sipas afateve të hedhura në tavolinën
e negociatave.

[1] https://observator.org.al/ëp-content/uploads/2015/09/Konventa_Europiane_per_te_Drejtat_e_Njeriut.pdf

[2] http://avokatia.al/revista/10-avokatia-19/14-statusi-i-kednj-ne-rendin-kushtetues-shqiptar

[3]  Neni 6 “E drejta
për një proces të rregullt”

[4] Neni
13 “E drejta për zgjidhje efektive”

[5] http://qbz.gov.al/eli/vendim/2014/04/23/236

[6] https://search.coe.int/cm/Pages/result_details.aspx?ObjectID=09000016808d646f

[7] https://www.elibrary.imf.org/view/IMF002/22379-9781498337212/22379-9781498337212/22379-9781498337212_A003.xml?redirect=true

[8] https://www.europarl.europa.eu/ftu/pdf/en/FTU_5.5.2.pdf

Leave a Reply