Lajmet ShqiperiseReforma në arsim. Ligji i ri, mesatare 7 për...

Reforma në arsim. Ligji i ri, mesatare 7 për pranimin në universitet

-

Interviste/ Flet Arjan Gjonça, kreu i Komisionit të Qeverisë: Kredi pa interes për studentët, e shlyejnë kur të fillojnë punë.

Mesatarja, Gjonça: Është menduar të rritet në 7 brenda fazës së parë të implementimit.

Reforma në arsimin e lartë do të garantojë kredi me interes zero për studentët. Ndërsa mesatarja e pranimit në universitet është menduar të jetë 6 dhe të rritet në 7 brenda fazës së parë të implementimit.
Në një intervistë për gazetën, Arjan Gjonça, kryesuesi i Komisionit për Reformën në Arsimin e Lartë, tregon detajet e ndryshimeve në ligjin e ri. Sa do të jetë mesatarja e pranimit në universitete, sa para do paguajnë studentët dhe si do të ndahen paratë e financimit. Gjonça sqaron edhe çfarë do ndodhë me maturantët që nuk kanë mesataren e duhur për të hyrë në universitet dhe një përgjigje për kritikat e Fugës e Markut: “Të na japin alternati
vat e tyre”.

Z. Gjonça, ju keni kryesuar Komisionin për Reformën e Arsimit të Lartë dhe të kërkimit shkencor, që sapo ka nxjerrë raportin e parë. Së pari diçka rreth jush, cila është karriera juaj dhe si u gjendët në krye të këtij komisioni?
Unë jam një pedagog i demografisë dhe shëndetit publik që punoj prej 20 vjetësh në London School of Economics, në departamentin e politikave sociale. Jam ish-student i Universitetit të Tiranës, Fakultetit Ekonomik dhe më vonë pedagog i ri në departamentin e statistikës në këtë universitet. Kam punuar edhe në Gjermani në Institutin Max Planck dhe kam qenë i ftuar si “visiting professor” edhe në Itali dhe Amerikë. Jam i specializuar në demografi dhe shëndet publik dhe kam një eksperiencë në hartimin e politikave sociale në disa fusha, eksperiencë me qeveri të ndryshme dhe organizata ndërkombëtare të ndryshme. Gjatë kësaj periudhe 24-vjeçare që jetoj jashtë Shqipërisë, në mënyrë të vazhdueshme kam punuar me institucionet e vendit si Instituti i Statistikës, Instituti i Shëndetit Publik, Fakulteti Ekonomik i UT si dhe qeveritë e ndryshme shqiptare. Unë vazhdimisht kam hartuar politika të ndryshme për zhvillimin e vendit, i ftuar nga qeveri të ndryshme dhe organizata ndërkombëtare në Shqipëri. Kësaj radhe ishte Kryeministri i vendit që më ftoi në vjeshtë të vitit të kaluar. Nuk ishte vendim i lehtë se koha ishte e shkurtër dhe sfida shumë e madhe. Po të mos  e kisha marrë përsipër do kishte qenë një gur i madh në zemrën time, që e kisha mundësinë të kontribuoja dhe nuk e bëra. Mbështetja e familjes dhe e vetë LSE-së më bëri të marr një vendim pozitiv për ta drejtuar këtë komision. Natyrisht, kushti i parë dhe i vetëm ishte të ishte një komision i pavarur dhe me kolegë të cilët unë do të kisha të drejtë t’i zgjidhja. Jam i lumtur që kam bërë këtë zgjidhje dhe nuk jam zhgënjyer në asnjë drejtim dhe asnjë moment.

Çfarë ka në thelb kjo reformë, shpjeguar për publikun e gjerë, sepse raporti i parë është i hollësishëm dhe ndoshta për teknikën, kush janë tri-katër risitë që kjo sjell?
Është e rëndësishme të themi që risia e parë është që për herë të parë punohet një policy paper (document politikash) nga një komision i pavarur specialistësh dhe jo qeveria. Është hera e parë që ka një proces serioz, pra nuk dërgohet ligji për t’u diskutuar, por platforma për të bërë këtë politikë dhe këtë ligj. Është gjithëpërfshirëse dhe prek çdo aspekt të arsimit të lartë – pra është shumë e thellë. Kjo reformë ka në thelb studentin dhe pedagogun, që janë dhe baza e arsimit të lartë. E shikon arsimin e lartë në dy këndvështrimet e tyre dhe si mund të përmirësohet ky arsim që të kemi mësimdhënie më cilësore për studentin dhe një jetë akademike më cilësore për pedagogun. Është vështirë të veçosh një apo disa risi në këtë reformë, por unë do të veçoja autonominë/pavarësinë  reale të institucioneve të arsimit të lartë. Përmirësimin e administrimit të jetës akademike dhe studentore. Mbi të gjitha, shikimin e arsimit si e mirë dhe shërbim publik, ku parimi bazë është ai i mundësive të barabarta. Këto aspekte detajohen në mekanizma implementues. Krijimi i mekanizmave implementues është shumë i detajuar në këtë reformë, që të mos mbeten reformë në letër, dhe kjo është një risi tjetër. Krijimi i mekanizmave për të rritur cilësinë e mësimdhënies dhe punës kërkimore shkencore dhe treguesve të matjes së tyre. Edhe kjo është një risi e reformës. Unë mund të vazhdoj me plotë të tjera, por i ftoj të gjithë të lexojnë raportin.

Ka një perceptim që pas kësaj reforme, shkolla do të bëhet me lekë dhe për pasojë ata që nuk kanë para për të paguar nuk do të shkojnë dot në shkollë të lartë?
Shkolla e lartë është me lekë edhe sot. Pra ka një tarifë për studentët që studiojnë në universitetet publike dhe pa dyshim një tarifë më të lartë në ato jopublike. Ka edhe një cinizëm në diskutim pa e lexuar mirë raportin ku flitet në emër të shtresave të varfra. Ne parashikojmë që IAL-ve shqiptare t’u liberalizojmë nivelin e masterit, sepse mendojmë që shteti ka për qëllim të mbështesë dhe garantojë arsimin e lartë në nivelin bachelor, por jo master. Kështu, IAL-et, si publike dhe jopublike, hyjnë në konkurrencë mes tyre. Ndërsa për nivelin bachelor është menduar një tarifë e shtresuar. Kjo do të thotë që për herë të parë sugjerohet që tarifat dhe shpenzimet për studentët nga shtresat e varfra t’u mbulohet plotësisht kostoja e studimeve universitare në nivelin bachelor. Shteti, qeveria vendos të ketë një tarifë tavan siç është edhe sot, por kjo tarifë do të vendoset në mënyrë shkencore dhe jo apriori. Ne po punojmë për kostot e arsimit të lartë. Gjithashtu ne po punojmë që të krijojmë edhe një strukturë me kredi mbështetëse me interes zero për studentët që nuk vijnë nga familjet e varfra për të mos rënduar buxhetet e familjeve të tyre. Kjo kredi do të paguhet gradualisht vetëm kur studenti të fillojë punë në bazë të diplomës që ka marrë.

Reforma parashikon futjen e mesatares për të hyrë në sistem. Në çfarë niveli do të jetë kjo mesatare dhe çfarë do të bëhet me individët që mbesin poshtë kësaj mesatareje, a do të kenë të drejtë ata të shkojnë në kolegjet profesionale p.sh.?
Arsimi është një e drejtë njerëzore për të gjithë, por me një ndryshim nga shëndetësia në bazë të meritës. Ne duam ta masivizojmë arsimin, por jo në dëm të cilësisë, por duke i përmirësuar të dyja gradualisht. Kjo reformë nuk është se sjell ndonjë koncept të ri në këtë fushë. Mesatarja ka ekzistuar edhe më parë. Koncepti i Maturës Shtetërore ka në themel klasifikimin. Por kjo reformë krijon mekanizmat që të mos abuzohet me kriterin. Pra do të kontrollojë atë që ne e quajmë mesataren në hyrje për publikun dhe jopublikun. Kjo mesatare nuk është ndryshuar për momentin, por mendohet të rritet me kalimin e kohës. Është menduar të jetë 6 dhe të rritet në 7 brenda fazës së parë të implementimit. Gjithashtu universitetet kanë edhe kriteret e tyre për pranim dhe vendimin për pranimin e marrin ato. Gjithashtu ata që nuk mund t’i përmbushim kriteret për të hyrë në nivelin bachelor do të kenë mundësi të kryejnë studimet universitare profesionale të drejtuara drejt tregut të punës.

Ka një debat të madh në lidhje me propozimin për një transformim pas tre vjetësh gradual të universiteteve shtetërore dhe atyre private drejt një forme të re të përbashkët të tipit fondacion. Fillimisht çfarë është kjo metodë dhe kjo mënyrë juridike, duke u nisur nga shembulli britanik?
Pjesërisht kjo që thatë është e vërtetë. Është e vërtetë që është menduar të shkojmë, siç themi ne drejt qendrës, pra t’u japim pavarësi të madhe universiteteve publike. Dhe duke menduar që kjo pavarësi është më e theksuar dhe funksionon më mirë në organizma të ngjashëm me ato të fondacionit, është sugjeruar që universitetet publike të drejtohen drejt këtij statusi. Kjo lëvizje është e natyrshme në qoftë se në fazën e parë ata bëhen më të pavarur qoftë nga ana organizative apo financiare dhe kalimi në këtë status të ri i bën këto IAL më të përgjegjshme për vetveten dhe studentin, i nxit ata të jenë krijues dhe të zhvillohen më mirë. Përsa u përket IAL-ve private, reforma nuk sugjeron që ato të mbyllen, por në momentin që disa institucione private duan të kthehen në jofitimprurëse, kemi sugjeruar që edhe atyre duhet t’u krijohet mundësia e audituar drejt këtij statusi të ri.

Kritika thelbësore ndaj kësaj reforme është kjo: propozohet modeli britanik ose anglosakson, ndërkohë që kultura lokale e administrimit është e një vendi të Europës  kontinentale. Si do ta zgjidhni këtë kontradiktë?
Reforma ka shumë elemente të sistemit britanik, siç ka edhe po aq elemente të traditës universitare shqiptare. Ky argument, më vjen keq ta them, është jo logjik për dy arsye. E para, se vetë Europa kontinentale do dhe po ndryshon drejt sistemin anglosakson, kryesisht britanik. Dhe të mos harrojmë që si kontinenti, edhe Britania e shikojnë arsimin e lartë si shërbim publik. Ndryshimi është se sa i fortë është ndikimi i shtetit, qoftë në financa apo edhe aspekte të tjera të pavarësisë institucionale. Edhe këtu Europa kontinentale po shkon drejt Britanisë. E dyta dhe më e rëndësishmja, pse duhet të “kopjojmë” diçka që vetë këto vende europiane kanë thënë që ka dështuar? Deri më tani nuk kam dëgjuar asnjë element logjik pse nuk funksionon ky sistem te ne. Edhe vetë Britania e ka ndryshuar këtë sistem gradualisht, që nga reformat e viteve gjashtëdhjetë dhe deri në ato të viteve nëntëdhjetë. Janë njëzet vitet e fundit që Britania e reformoi sistemin në atë drejtim që i ka dhënë frytet sot. Kështu që ky argument nuk shkon fare. Unë shtroj pyetjet: Nuk duhet t’u japim institucioneve pavarësi? Nuk duhet t’i japim studentit një zë më të fortë? Nuk duhet ta lidhim arsimin me tregun? Nuk duhet ta shtresëzojmë tarifën sipas mundësive? Nuk duhet t’i bëjmë IALet më efikase në funksionim? Nuk duhet t’i japim prioritet kërkimit shkencor? Nuk duhet të jetë stafi pedagogjik që merr vendimet për arsimin e lartë? Më vjen keq, por për të gjitha këto qëndron sistemi britanik, dhe ne jemi të bindur që funksionon në Shqipëri.

Si do të qeverisen universitetet e reja, kush do ta caktojë bordin që ju keni propozuar në draftin tuaj, si do të ripërtërihet bordi dhe çfarë raporti do të këtë ai me autoritetet akademike dhe administruese?
Është shumë e rëndësishme ta sqarojmë këtë se edhe këtu ka pasur keqinterpretime. E para, qëllimi i Bordit Administrativ është të rrisë përgjegjësinë institucionale për mbarëvajtjen dhe shëndetin e çdo IAL-i. Ky bord zgjidhet mbi bazën e konceptit të “përkatësisë” dhe kontributit në çdo IAL. E para, pjesën më të madhe në këtë bord duhet ta ketë stafi akademik i universiteteve që zgjidhet nga Bordi Akademik. Shteti, në bazë të masës së kontributit të tij, ka edhe ai anëtarësinë në këtë bord. Në qoftë se qeveritë vendore kontribuojnë financiarisht, po kështu edhe ato. Në të njëjtën masë edhe biznesi në qoftë se kontribuon në këtë IAL. Kjo sjell përgjegjësi direkte për mbarëvajtjen financiare dhe të ardhmen e institucionit. Patjetër që kanë një lidhje midis senatit, rektorit dhe këtij bordi. Dhe kjo lidhje është organike dhe me raportim të dyanshëm. Ky bord gjithashtu jep llogari për mbarëvajtjen e IAL-it nga ana financiare, siç jep edhe senati dhe rektori nga ana akademike. Gjithashtu duhet thënë që mbasi plani afatgjatë i zhvillimit të institucionit është hartuar dhe detajuar nga të gjithë akademiket e çdo IAL-i, ky bord shikon dhe aprovon fizibilitetin financiar të tij. Pra kjo strukturë rrit përgjegjësinë dhe efikasitetin institucional.

Çfarë parashikon reforma për universitetet private, a do të kalojnë paratë publike në universitetet private, çka është një shqetësim dhe kritikë e gjerë e atyre që e konceptojnë dhe kontestojnë elemente të kësaj reforme?
Përgjigjja e menjëhershme është jo. Nuk mund të këtë para publike në institucione që kanë dividend-fitim! Kjo është parimore! Por dua ta detajoj pak këtë aspekt. Financimi nga shteti në IAL-e, që do të jetë vetëm një pjesë e të ardhurave të IAL-ve, ndahet në tri grante. I pari është ai i mësimdhënies (rreth 60-70%) dhe ky nuk shkon në IAL-et private. I dyti është ai i inovacionit dhe zhvillimit, dhe edhe ky nuk shkon në IAL-et private. Granti i tretë është ai i kërkimit shkencor, që mendohet të jetë rreth 20-30% e financimit shtetëror në arsim të lartë. Rreth një e treta e këtij granti prapë u kalon IALve publike për infrastrukturën e kërkimit shkencor. Por pjesa tjetër jepet për kërkim shkencor mbi bazën e meritës dhe prioriteteve të qeverisë. Ky grant që jepet me aplikime dhe konkurrencë, është i hapur për të gjithë. E gjithë shoqëria jonë përfiton nga puna shkencore e të gjithëve ne. Kjo nuk është ndryshe nga vendet e zhvilluara europiane.

Z. Gjonca, një grup pedagogësh të njohur nga Universiteti i Tiranës, të grupuar si Forumi për Lirinë Akademike, ku spikasin profesorët Artan Fuga e Mark Marku, e kanë kundërshtuar publikisht draftin e reformës që ju keni përgatitur. A keni një përgjigje lidhur me argumentet e ngritura nga pedagogët mbi raportin e Komisionit që ju drejtoni?
Në qoftë se ne do të ishim dakord për gjithçka dhe do të mendonim njësoj, bota nuk do të zhvillohej siç është zhvilluar dhe po ashtu ky vendi ynë i vogël dhe me shumë potencial nuk bën përjashtim. Unë këta kolegë i shoh si një aset i madh i arsimit të lartë në vend dhe kontribuues në këtë reformë. Do t’i dëgjoj me kujdes dhe do diskutoj me përgjegjësi gjithçka që këta kolegë argumentojnë. Dua t’u bëj thirrje që kjo nuk është reforma ime personale apo e Komisionit, por është REFORMA E TË GJITHËVE NE, stafit akademik dhe studentëve në të gjithë vendin. Doja gjithashtu në mënyrë miqësore t’u sugjeroja që përveç kritikës që bëjnë, që ne e vlerësojmë edhe po të mos jemi dakord me të, të na japin alternativat e tyre. Kjo është përgjegjësi dhe kontribut serioz. Le të dalim nga vorbulla e këtyre 20 viteve të tranzicionit që vetëm shajmë, kritikojmë dhe nuk bashkëpunojmë. Në fund të ditës ky arsim është i gjithi i yni, i pedagogëve dhe studentëve dhe ta lëmë individualizmin dhe personalizmin jashtë dhe të mendojmë për të mirën e përgjithshme. Ne, si edhe kemi filluar, do shkojmë në të gjitha institucionet e arsimit të lartë dhe do bisedojmë edhe me këta kolegë, dhe i garantoj që do i dëgjojmë me vëmendje duke qenë konstruktivë dhe bashkëpunues.

JONIDA TASHI

Latest news

Nero nei sogni Sognare colore nero Significato

 Il aspetto scuro nei sogni si compare a con tutto che ciò le quali è culmine e né integrato ...

Examples and Definition

Figurative Language DefinitionFigurative language uses figures of speech to be more effective, persuasive, and impactful.Figures of speech such as...

Come sbloccare un telefono bloccato

Qualunque parecchio, si sa, ancora i migliori telefoni finiscono di incepparsi: può , forma su modelli un po’ sommato...

Hummel Figurines (Price List and Value Guide)

You’ve probably seen a Hummel figurine atop somebody’s fireplace—a sweet child reading a book, playing music, going about...

WordReference.com Dictionary of English

taccagno Intendere: ⓘ Una se no la maggior parte discussioni del intervista combaciano affatto col epilogo i quali hai cercato Forme flesse...

L’unione di due figure convesse può essere concava

L'miscuglio intorno a figure convesse può capitare concava Istantaneo a L'miscuglio intorno a figure convesse può capitare...

Must read

You might also likeRELATED
Recommended to you