Rikthimi i Gjergj Kastriotit Skënderbeut në atdhe

Gjatë rrugës së kthimit nga qyteti i Nishit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu arriti në Fushë-Kosovë, ku forcat osmane ishin larguar pas disfatës që pësuan në Nish (03.11.1443), më pas vijoi rrugën Prishtinë-Prizren dhe në Prizren u bashkua me vëllain e tij të madh, Stanishin, i cili kishte rimarrë lehtësisht zotërimet atërore të Dardanisë Perëndimore, duke përfituar prej largimit të trupave osmane nga trevat e Kosovës së sotme. Duke u nisur nga Prizreni zbriti në zotërimet atërore në Pollog dhe vijoi udhën në drejtim të luginës së Drinit të Zi.

Pas 7 ditësh, më 10 nëntor të vitit 1443, ai arriti në Dibër, e cila do të shënojë edhe fillimin e Epopesë së lavdishme të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu. Këtu ai pritet me një entuziazëm të jashtëzakonshëm nga popullsia arbëre, të cilët ishin të gatshëm për t’u hedhur në kryengritje³. Sapo u takua në kuvend me krerët e kësaj krahine, ai konsolidoi pozitat e veta, duke zënë pikat më strategjike në terren, ku vendosi roje dibrane për të mbrojtur vendin nga ndonjë sulm eventual i turqve osmanë. Humanisti M.Barleti, i cili na përcjell detajet e mbërritjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu në atdhe, ngjarje që u zhvillua natën dhe në fshehtësi të plotë, ai thotë se lajmi u përhap shumë shpejt, falë emrit të shquar dhe mallit që ndjenin për princin e tyre, i cili do tu sillte lirinë. “(Njerëzit) iu derdhën pra, të gjithë rreth e përqark dhe kush e kush më parë, tërë shend e verë dhe duke kërcyer nga gëzimi, me lotë që u rridhnin në fytyrë nga gazi i madh, një palë i puthnin duart, një palë faqet e kokën, të tjerë këmbët e pastaj gjithë trupin, duke e mbytur me përqafime të pambaruara. Duke falënderuar më në fund fatin, tërë gaz për mbretërinë me emrin Epir, i shpjegonin atij gjerë e gjatë punët e tyre dhe i zotoheshin e i besonin veten e vet, fëmijët, shpirtin dhe çdo gjë që kishin për zemër.”

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu vendosi të qëndrojë disa ditë në Dibër, por jo për shumë kohë, dhe pasi u zbuloi atyre planet e veta, duke iu caktuar edhe detyrat përkatëse, vendosi nën kontroll Dibrën e Poshtme, Pollogun, krahinën e Dervenit dhe, për të kontrolluar grykat e rrugës Tetovë-Shkup, shpartalloi garnizonet osmane, duke çliruar kështjellën e Tetovës dhe atë të Sobrit, që ndodhej në fshatin e sotëm Orashko Gradishte, etj. Pastaj u nis me të shpejtë drejt qytetit të Krujës, duke udhëtuar në trevën e Matit, dhe, ashtu siç veproi kur u rikthye në Dibër, edhe këtu i bllokoi pikat më strategjike, duke vendosur nëpër udhëkalimet kryesore disa reparte të armatosura, në mënyrë që të ndërpriste rrugët e komunikimit të pushtuesve osmanë me qendrën e Arbërisë. Ndërkohë që po i afrohej qytetit të Krujës, me qëllim që të krijonte besueshmëri tek autoritetet shtetërore osmane, dërgoi nipin e tij, Hamza Kastriotin, që të nisej përpara, gjoja me dy robër, për t’u takuar me qeveritarin, të cilin do ta njoftonte se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu do të vinte shumë shpejt për të marrë në dorëzim kështjellën me urdhër të sulltan Muratit II.

Hamzai, i cili të ëmën e kishte turke dhe që e fliste përsosmërisht turqishten, e shpuri deri në fund misionin e tij në mënyrën më të mirë të mundshme dhe subashi i Krujës, Hasan Beu, e besoi dhe kur arriti Gjergj Kastrioti-Skënderbeu dhe i tregoi fermanin e sulltanit, ai e lexoi menjëherë dhe i dorëzoi kështjellën. Duhet theksuar se Hasan Beu nuk ishte turk siç e japin shumica e biografëve të Heroit tonë Kombëtar, por sipas F.Dukës ai ishte i biri i Ajdin Beut dhe Helena Muzakës, pra një fisnik arbër i islamizuar. Jashtë kështjellës së Krujës, nëpër pyjet aty pranë, u pozicionuan me shumë kujdes dhe qëndruan të fshehur 600 luftëtarë arbër; 300 kalorësit, të cilët kishin marshuar nga Nishi dhe 300 malësorë, që iu bashkuan atyre në Dibër. Pasi u vendos brenda në kështjellë, i mirëpritur nga subashi, Hasan Beu, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, fshehurazi dhe nëpërmjet një plani të shkëlqyer, i shpërndau agjentët e tij nëpër qytet për t’i njoftuar krutanët mbi qëllimin e tij kryesor, çlirimin e Krujës. Duke ndjekur me përpikmëri të gjitha direktivat e dhëna prej tij, natën dhe në befasi të plotë, 300 kalorësit dhe 300 luftëtarët dibranë, të cilët ishin fshehur në pyjet pranë qytetit, të ndihmuar edhe nga qytetarët krutanë, e sulmuan garnizonin turk të kështjellës nëpërmjet një koordinimi të shkëlqyer me luftëtarët arbër, të cilët ndodheshin brenda mureve së bashku me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe rezultati ishte shumë i shpejtë. Luftëtarët arbër depërtuan në qytet, duke i sulmuar turqit papritmas dhe nga çdo anë, me taktikën të cilën romakët e lashtë e quanin “Agredi urbem corona”, siç bëri gjenerali i talentuar romak, Publius Cornelius Scipio Africanus (236-183 p.k.), kur pushtoi qytetin e fortifikuar të Kartagjenës së Re në Spanjë në vitin 209 p.k. Në ndryshim nga gjenerali romak, Heroi jonë Kombëtar, i cili nuk po pushtonte, por po çlironte pikërisht kryeqendrën e zotërimeve të veta atërore; hartoi dhe zbatoi një plan sulmi më të detajuar dhe për pasojë shumë më efikas, sepse forcat e tij ndodheshin si jashtë, po ashtu edhe brenda mureve të qytetit së bashku me vetë atë. Sa hap e mbyll sytë, ushtarët osmanë të garnizonit të Krujës dhe së bashku me ta edhe kolonët turq, u përballën me një tmerr të paimagjinueshëm. Sipas A.Gegaj, guvernatori i ri i kështjellës së Krujës shpejtoi të rikthente krishtërimin dhe ata që nuk pranuan të përqafonin këtë religjion e midis tyre edhe guvernatori i vjetër, Hasan Beu, u vranë. Një panoramë të plotë, që lidhet me çdo etapë zhvillimore të procesit që solli çlirimin e kështjellës dhe asgjësimin e ushtarëve të garnizonit osman, duke mos kursyer as kolonët turq, të cilët ishin vendosur në qytetin e Krujës, e jep humanisti M.Barleti, i cili i ka kushtuar 4 faqe të veprës së tij monumentale. M.Barleti shkruan: “Atëherë Skënderbeu dha shenjën e kërdisë. Që në sulmin e parë ushtarët u drejtuan kundër stacioneve të rojeve, që ndodheshin përgjatë mureve, ngjitur, siç ndodh, barakave(kalibe) dhe që mund të dëmtoheshin lehtë. Kështu u vranë me lehtësi të gjithë dhe në po ato vënde u vunë menjëherë të tjerët nga tanët. Njëkohësisht u sulmuan edhe shtëpitë private me ushtrinë e krutanëve përpara dhe me Skëndërbeun në krye, i cili kryente në mënyrë të shkëlqyer edhe detyrën e komandantit, edhe atë të ushtarit. Dhe shumë i shtypën e i therën mu në shtrat, duke zbërthyer dyert. Por, kur kjo zhurmë u përhap nga njëri tek tjetri, u ngritën një numër i madh e morën armët, ashtu si ua bënte të mundur tërbimi dhe nata dhe, duke u lëshuar për në qendër të qytetit, po përpiqeshin të mblidhnin një farë ushtrie me qëllim që ose të binin më me lavdi, ose t’i pritnin pak hovin armikut dhe të dilnin jashtë portave e të shpëtonin duke marrë arratinë. Por, meqë rrugët ishin të gjitha të mbyllura, përpjekja e tyre u shkoi kot, si për njërin dhe për tjetrin rast dhe po thereshin si bagëtia.”

See also  LIGJI NR. 04/L-032 PËR ARSIMIN PARAUNIVERSITAR NË REPUBLIKËN E KOSOVËS

Ndërkohë që kështjella e Krujës, banesat e kolonëve aziatikë dhe rrugët ishin mbushur plot me kufoma, disa turq osmanë i hodhën armët të llahtarisur, duke kërkuar mëshirë nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, të cilit iu përgjëruan që t’i jepte fund kësaj masakre dhe të mos e përlyente fillimin e sundimit të tij me gjak njerëzor, por më mirë t’i kthente në skllevër për të mos e zbehur shkëlqimin e triumfit të tij. Edhe pse Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, tashmë i prekur nga lutjet e turqve që po lëshonin armët duke u dorëzuar, u mundua që të ndalë tërbimin e ushtarëve arbër, M.Barleti shton se në Krujë po mbizotëronte një tmerr i paparë ndonjëherë, “lemeri, klithma, ulërima, kuja dhe kërcënime të përzier me lotë, oshëtinin kudo.”

Albanologu J.P.Fallmerayer e vendos zhvillimin e këtyre ngjarjeve midis datave 12 dhe 15 nëntor 1443¹². F.S.Noli thotë se Kruja u mor më 11 nëntor 1443 dhe ndërsa historiani ushtarak, R.Sinani, ka shprehur mendimin se ishte data 12 nëntor e vitit 1443 kur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu sulmoi dhe i asgjësoi forcat e ushtrisë turke në kështjellën e Krujës. Të nesërmen, sipas V.Abbondanza, F.S.Nolit dhe C.Simonit, nuk kishte mbetur në qytet asnjë ushtar turk, as kolonist dhe as renegat, përveç disa të pakëve, që u kthyen të krishterë dhe ndërsa të tjerët u masakruan pa mëshirë. Edhe V.Talarico, thekson se brenda pak orësh, çlirimtarët zhdukën çdo gjurmë të sundimit osman në qytetin e Krujës. Por në disa burime dokumentare dhe në vepra të autorëve të ndryshëm, shqiptarë apo të huaj, rezulton se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i la të lirë disa ushtarë dhe funksionarë të lartë të administratës osmane, duke i lejuar që të largohen nga qyteti i Krujës. Njëri prej tyre ishte pikërisht dizdari i kështjellës, Ballaban Beu, të cilit, si për ironi të fatit, pas 2 dekadash do t’i besohej komanda e ushtrisë osmane për të robëruar Arbërinë dhe si i tillë do të bëhej armiku më i rrezikshëm i Heroit tonë Kombëtar. Në lidhje me ngjarjet dramatike që u zhvilluan gjatë luftimeve të përgjakshme për çlirimin e Krujës, shumica e biografëve të Heroit tonë Kombëtar dhe sidomos autorët shqiptarë, kanë mbajtur një qëndrim aspak profesional, duke iu shmangur trajtimit të kësaj çështje. Ideja se, duke përmendur “masakrën e garnizonit osman dhe kolonëve turq në kështjellën e Krujës” nga luftëtarët arbër, do të “cënonte harmoninë tonë fetare” ose do të nxiste “urrejtjen e komunitetit mysliman shqiptar ndaj Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”, është diçka groteske dhe non-sens.

Këtu bëhet fjalë për një ngjarje që është zhvilluar në gjysmën e parë të shek. XV, dhe në kontekstin e kohës ishte diçka krejt normale. Asokohe të gjithë arbërit ishin të krishterë (katolikë dhe ortodoksë), por vetëm një pjesë shumë e vogël dhe e papërfillshme në raport me të krishterët tradicionalë, ishin konvertuar në fenë e pushtuesit për arsye të cilat dihen! Prandaj, e vërteta as nuk duhet fshehur apo anashkaluar dhe aq më tepër të keqinterpretohet apo instrumentalizohet, por duhet thënë dhe shkruar ashtu siç ka qenë. Nga ana tjetër, kemi edhe disa pseudo-historianë dhe publicistë krejt mediokër, të cilët, kohët e fundit, kanë arritur deri aty sa të akuzojnë Gjergj Kastriotin-Skënderbeun si “vrasës të myslimanëve shqiptarë(arbër)”, duke përdorur kritere gjykimi të shek. XXI, ndërkohë që ngjarjet janë zhvilluar në shek. XV. Me këtë rast i bie të stigmatizohen të gjithë paraardhësit tonë arbër (katolikë dhe ortodoksë), që rrjedhimisht qëndrojnë në trungun e pemës gjenealogjike edhe të këtyre “gjenive, analfabetë në histori”, të cilët sot “guxojnë” t’i akuzojnë paraardhësit e vet të krishterë si vrasës të myslimanëve. Në se përdoret ky lloj standardi në gjykim, i bie që të gjithë heronjtë e vërtetë të cilët luftuan për mbrojtjen e atdheut të etiketohen si “vrasës të myslimanëve” dhe ndërsa renegatët dhe tradhtarët që ishin në shërbim të pushtuesit aziatik të trajtohen si viktima të pafajshme. I tillë është edhe qëndrimi i politologut dhe veprimtarit politik, Hysamedin Feraj, i cili, duke përdorur një metodë analitike anemike dhe me argumente groteske glorifikon tradhtarë e renegatë si Hamza Kastrioti e Ballaban Pasha dhe konkludon se: “Skënderbeu mund të interpretohet si udhëheqësi shqiptar që përuroi fillimin e luftërave fetare ndërmjet shqiptarëve”!… Kështu mund të interpretohet sipas tij, sjellja e Heroit tonë Kombëtar ndaj besimeve të tjera fetare në Shqipëri pas kthimit në Krujë, kur kërkoi nga kolonistët dhe të konvertuarit në myslimanë të zgjedhin ndërmjet kristianizmit e vdekjes dhe të gjithë ata që nuk pranuan të braktisin islamin i masakroi! Në optikën e H.Feraj, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nuk duhet të konsiderohet si Hero Kombëtar i Shqiptarëve, por një status të tillë e meritojnë figura si Hamza Kastrioti dhe Ballaban Pasha!… Pra, sipas kësaj logjike i bie që tradhtarët dhe shkaktarët kryesorë të disa prej fatkeqësive më të mëdha, që ka përjetuar populli jonë gjatë rrjedhës së historisë, duhet të ngrihen mbi piedestalin më të lartë të panteonit tonë kombëtar dhe heronjtë e vërtetë duhet të hidhen në baltë!… Në këtë mënyrë, tradhtia çertifikohet si virtyt dhe ndërsa besnikëria ndaj atdheut trajtohet e përcaktohet si ves!!!… Megjithatë, fatmirësisht historia na ka mësuar se të gjithë tradhtarëve, ju është rezervuar gjithmonë një vend i veçantë, i cili është “Koshi i plehrave të Historisë”!

Tani, me të drejtë lind pyetja: Po arbërit katolikë të inkuadruar në ushtrinë veneciane, që u vranë në betejën e Drinit (23.07.1448) si duhen trajtuar?!… Në se përdorim të njëjtat kritere gjykimi si për arbërit e islamizuar dhe renegatët në shërbim të Perandorisë Osmane, ashtu edhe për arbërit që luftuan në rradhët e ushtrisë veneciane; atëherë Gjergj Kastriotin-Skënderbeun duhet ta etiketojmë edhe si “vrasës të katolikëve arbër”!… Pra, si mundet të vlerësohen ngjarjet e zhvilluara në shek. XV, duke i projektuar ato në fillim të shek. XXI?!… “Transportimi” i atyre ngjarjeve në ditët e sotme, është bërë pa marrë aspak parasysh të gjitha kriteret dhe aspektet, të cilat i nënshtrohen ndryshimit nëpërmjet imponimit të mekanizmave kohorë. Këto ngjarje historike duhen parë e trajtuar në mënyrë sa më racionale dhe vetëm në kontekstin e kohës. Sidoqoftë, gjykimi dhe vlerësimi për luftëtarët arbër të shek. XV, të cilët luftuan për mbrojtjen e atdheut dhe nga ana tjetër për renegatët arbër që kishin kaluar në shërbim të pushtuesit turk, duke përqafuar edhe besimin e tij, do të mbetet i bazuar gjithmonë mbi kritere, të cilat nuk ndryshojnë në asnjë epokë historike. Kushdo që bashkëpunon me pushtuesin në dëm të atdheut dhe popullit të vet, quhet tradhëtar dhe tradhëtarët, të cilitdo religjioni ato qofshin, duhet “të shpërblehen” me atë çfarë ata meritojnë, në çdo vend dhe në çdo kohë. Masakra e garnizonit osman dhe e kolonëve turq në kështjellën e Krujës, ishte mirëfilli një produkt i urrejtjes së shfrenuar që arbërit kishin akumuluar kundrejt turqve-osmanë, duke nisur nga vitet 1438-1439 kur sulltan Murati II kishte urdhëruar fillimisht Hasan Beun për të pushtuar të gjitha kështjellat e Kastriotëve dhe më pas kishte dërguar Sebali Pashën me një forcë të madhe ushtarake për të realizuar pushtimin e plotë të Principatës së Kastriotëve. Po ashtu, nëpër kështjellat kryesore, si: në Krujë, Petrelë, Stellush, Petralbë dhe Sfetigrad, së bashku me çdo garnizon osman vendosi edhe një bërthamë kolonistësh turq, me qëllim për t’iu kundërvënë popullsisë vendase si kundërpeshë. Pikërisht këtu e ka burimin e saj, fillimisht pakënaqësia dhe më pas e gjithë ajo urrejtje e shfrenuar e arbërve, e cila shpërtheu furishëm në muajin nëntor të vitit 1443, duke shkaktuar “masakrën e turqve-osmanë në kështjellën e Krujës”.

See also  Vaji i palmës, “vrasës” apo “shërues”, çfarë përmban, ku përdoret dhe kujdesi që duhet treguar?

Këtë valë të fuqishme urrejtjeje të luftëtarëve arbër (dibranë) dhe të qytetarëve krutanë ndaj ushtarëve dhe kolonëve turq nuk mundi ta ndalte as vetë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, pavarësisht përpjekjeve të tij. E zëmë se ai paska urdhëruar asgjësimin e plotë të elementit osman në Krujë, atëherë si ka mundësi që disa kolonëve turq dhe drejtuesve të lartë të administratës shtetërore osmane, midis tyre edhe renegatë arbër të islamizuar, ju kursye jeta?! Këtë fakt e pohon edhe M.Barleti, i cili rrëfen se atyre turqve që u dorëzuan, duke hedhur armët: ai “ua fali me gjithë qejf jetën dhe lirinë.” Të gjithë biografët e hershëm e pohojnë njëzëri se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u ofroi atyre dy alternativa: a) pagëzim dhe integrim në shoqërinë e krishterë vendase ose b) largim të qetë jashtë vendit, duke iu garantuar jetën dhe pasurinë nëpërmjet shoqërimit me eskortë të armatosur deri në kufi me Perandorinë Osmane. Duke iu referuar masakrës së ushtarëve të garnizonit osman dhe kolonëve turq në kështjellën e Krujës, vetëm autorët mediokër, që kërkojnë me ngulm ta çojnë ujin për në mullirin e qarqeve antishqiptare, të cilave ata u shërbejnë me shumë devotshmëri, mundet t’i mëshojnë tezës së paqenë se Heroi jonë Kombëtar ka zhvilluar luftë fetare!… Faktin e pakontestueshëm se qëllimi i luftërave të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nuk ishte fetar, por i shtyrë prej ndërgjegjes kombëtare, e ka potencuar i pari At Gjergj Fishta, në fjalimin e famshëm “Shqiptarët dhe të drejtat e tyre”, të mbajtur prej tij në Konferencën e organizuar në Universitetin Katolik të Parisit në vitin 1919, për të sensibilizuar qarqet intelektuale në lidhje me kauzën shqiptare gjatë kohës kur po zhvilloheshin bisedimet në Konferencën e Paqes në Pallatin e Versajës (Paris). Sipas Gj.Fishtës “mundet, ndoshta, ndokush me më thanë se Skënderbegu, këto lufta i ka ba për qëllime fetare, dhe jo i shtymë prej nji ndërgjegjes kombtare, pra për me i dalë zot lirisë dhe pamvarësisë së vendit të vet? Se sa e pathemel kishte me kenë kjo fjalë, duket prej punve të Skënderbegut, i cili, në mos me atë mëni, ai luftoi po me aq trimni kundra venecianëve, sa ç’ pat luftue kundra turqve, atëherë, kur venecianët deshtën të pushtojnë vise të reja në Shqipni”.

Pra, vetë At Gjergj Fishta, si përfaqësuesi më erudit i Klerik Katolik Shqiptar, në një fjalim të mbajtur në një Universitet Katolik dhe pikërisht në zemër të Europës Perëndimore, e ka theksuar mjaft qartë se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nuk ka zhvilluar një luftë fetare, por çdo veprim i tij luftarak ishte mirëfilli në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së popullit dhe atdheut të vet! Historiani amerikan E.Jacques, kur trajton çështjen e besimit fetar të Kryeheroit dhe ndalet te zhvillimi i luftës kundër Republikës Veneciane, thotë se: kur Skënderbeu vërejti se ushtarët e tij ishin më pak të zellshëm në luftë kundër të krishterëve sesa kundër turqve dhe nga frika se mos nuk e shfaqnin trimërinë e tyre të zakonshme, ai shpalli se ata duhej ta ndanin fenë nga armiqtë me pretendimet e tyre të padrejta, sepse ata (venecianët) nuk duheshin luftuar si të krishterë, por si uzurpatorë. Sipas E.Jacques, kjo do të justifikonte edhe gjakun e derdhur anzhuin (francez) në Itali gjatë zhvillimit të Ekspeditës Ushtarake në Italinë e Jugut, në vitet 1461-1462. Në lidhje me “Vetëdijen kombëtare” të Heroit tonë Kombëtar, historiani P.Xhufi, i cili bazohet te admirimi i thellë që ushqente Kastrioti për Aleksandrin e Madh të Maqedonisë dhe sidomos për Pirron e Epirit, ku këtij të fundit ai i referohej si “Pirroja im, mbret i epirotëve (Pyrrhus ille meus Epirotarum rex)”, konkludon se: Tek ai, vetëdija historike ishte në themel të vetëdijes kombëtare, sepse kërkimi i rrënjëve të pushtetit në historinë e vjetër të vendit, ishte një karakteristikë e ideologjisë shtetërore në kohën e Rilindjes Europiane, e Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i përkiste pa dyshim kësaj rryme të mendimit politik. Sipas gjykimit të autorëve F.Cuniberti dhe A.Biancotti, marrja në befasi e kështjellës së Krujës dhe masakra ndaj garnizonit turk, sigurisht që nuk janë për t’u vlerësuar si zhvillime të lavdërueshme në luftë, por sipas tyre, vetëm “salus patriae suprema lex (ligji suprem është mirëqënia e atdheut – P.Z.)” mund t’i përligjë këto veprime. Po ashtu, F.Cuniberti, duke ngritur edhe disa pikëpyetje, shton se ndoshta Gjergj Kastrioti-Skënderbeu nuk e gjykoi si diçka të përshtatshme ose nuk mundi të përpiqet për t’i çarmatosur ato ushtarë (turqit osmanë), për shkak të rrëmbimit e urrejtjes së thellë që ushqente kundër tyre popullsia deri asokohe e keqtrajtuar dhe e shtypur; ndoshta dëshiroi që me këtë mënyrë t’i dëshmojë të gjithë Arbërisë se midis tij dhe sulltan Muratit II nuk do të ishte më e mundur paqja; ndoshta dëshiroi gjithashtu që me një akt të tillë të nxiste më shumë shpirtrat e arbërve dhe t’i shtynte ato më vendosmërisht në kryengritje kundër Perandorisë Osmane. Sidoqoftë, të gjithë këto objektiva ai arriti t’i përmbushë plotësisht. Kjo fitore kaq e lavdishme nuk e dehu Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, por menjëherë ai dha udhëzimet e nevojshme për forcimin e mbrojtjes së kështjellës, sigurimin e hyrjeve e të daljeve dhe rritjen e vigjilencës, sepse realizimi me sukses i detyrës më të rëndësishme për çlirimin e Krujës, hapi perspektivat dhe rriti besimin për çlirimin e shpejtë dhe të plotë të të gjithë Principatës së Kastriotëve.

Mëngjesin e ditës së nesërme u hoq flamuri i robërisë turke dhe mbi muret e kështjellës së Krujës u ngrit flamuri i familjes Kastrioti me shqiponjën dykrenore, flamur të cilin Dh.Frangu e quan “Flamuri i tij, me shqiponjën e zezë me kurora perandorake, mbi fushë të kuqe”²⁶ dhe ndërsa G.Biemmi e përshkruan kështu: “L’insegna di Scanderbegh era un’aquila negra distinta in due teste sopra campo rosso.” (Flamuri i Skenderbeut ishte një Shqiponjë me dy koka e hapur mbi fushë të kuqe – P.Z.).” Ky akt solemn, u shoqërua me thirrjet e zjarrta të popullit: “Rroftë, rroftë Skënderbeu.”

Trupat pushtuese osmane, që ndodheshin në Arbëri, menjëherë pas njoftimit që morën për masakrën e Krujës, ata u mblodhën me ngut nëpër kështjellat kryesore të vendit që kontrolloheshin prej tyre, si: Sfetigradi, Petralba, Petrela (në burime osmane edhe Letrella), Stellushi (në burime osmane edhe Istulush) etj. me shpresën se do t’u vinin ndihma nga Perandoria Osmane dhe ishin të gatshëm për të mos u dorëzuar pa luftë.

See also  Këshilla dhe truke mbi veshjen në mjedisin e punës

Pasi përshkruan çlirimin e Krujës, heqjen e flamurit osman, ngritjen e flamurit të kuq me “Shkabën dykrenore” dhe kthimin zyrtar të Gjergj Kastriotit në “Fenë atërore”, F.S.Noli shpjegon edhe arsyet, për të cilat, sipas tij, Heroi jonë Kombëtar nuk e hoqi emrin turk. Ai shkruan se: “Ai e mbajti llagapin muhamedan Skënderbe, me të cilin fitoi famë në botën e Krishterë dhe i cili dalëngadalë zuri vendin e llagapit(mbiemrit) të Kastriotëve. Ishte aq kryelartë për këtë llagap osman sa e shtonte vetë gjithnjë pas emrit të familjes sepse arsyet kuptohen lehtë; Emri i Skënderit i kujtonte Aleksandrin e Madh, e ndërsa titulli i Beut tregonte shkallën e gjeneralit në ushtrinë turke, e cila ishte më e mira e asaj kohe.”

Për të realizuar çlirimin e plotë të principatës së Kastriotëve, para së gjithash duhej të organizonte një ushtri të fuqishme, e cila do të mundësohej vetëm falë mbështetjes nga krerët më të rëndësishëm dhe për këtë arsye, një ditë pas çlirimit të Krujës, ai dërgoi Hamza Kastriotin në Dibër që të përhapte lajmin e mirë dhe të kërkonte përforcime. Lajmi për ngjarjet e Krujës u përhap me shpejtësi të madhe nën kujdesin personal të vetë Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, sepse kishte hyrë në veprim makina propagandistike, që ai e ngriti me një shpejtësi marramendëse.

Në çdo kështjellë të Kastriotëve, ku qëndronin garnizonet armike, dërgoi oficerë për t’i njoftuar ata se garnizoni turk në Krujë ishte asgjësuar dhe se ky qytet ishte çliruar, duke i paralajmëruar që së shpejti do t’u vinte rradha edhe atyre. Ndërsa për të siguruar mbrojtjen e krahut lindor nga ndonjë ekspeditë ndëshkimore osmane dhe për të bllokuar rrugën e arratisjes së ushtarëve osmanë që ndodheshin brenda vendit, përgjatë vijës kufitare dhe pranë rrugëve hyrëse nga Maqedonia në Arbëri u pozicionua një rojë e fuqishme prej 2.000 luftëtarësh.

Në të njëjtën kohë, kryengritësit e Dibrës së Sipërme, të udhëhequr nga Hamza Kastrioti, më 14 nëntor 1443, sulmuan dhe asgjësuan garnizonin osman në kështjellën e Kojavecit. Ushtarët osmanë, që u vranë në këtë betejë, i varrosën në afërsi të kështjellës e për këtë arsye edhe sot e kësaj dite ky vend njihet me emërtimin “varret e turkut.”

Menjëherë pas Krujës u çliruan treva e Matit dhe e Dibrës, por në duart e armiqve mbetën katër kështjella: Petrela, Petralba, Stellushi dhe Sfetigradi, të cilat mbroheshin nga garnizone të forta osmane. Për t’i marrë këto kështjella, nevojitej një numër i madh ushtarësh dhe për këtë arsye, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu kërkoi ndihmën e princave fqinj, të cilët i ftoi që të ishin të pranishëm në Krujë në ditën kur ai do të ngjitej në fron. Pa humbur kohë, u largua menjëherë nga qyteti i Krujës dhe u nis për në Mat e Dibër, që ishin pjesë integrale e Principatës së Kastriotëve dhe pikërisht aty filloi të organizojë formacionet e para ushtarake.

U prit kudo me shumë entuziazëm, si çlirimtar dhe shpëtimtar, ku të gjithë burrat e aftë për luftë u mblodhën për t’u vendosur nën komandën e tij, duke nisur nga Moisi Golemi, nipi i Gjergj Arianitit, të cilin e takoi në Dibër dhe që më vonë do të bëhej një nga gjeneralët e tij më të shkëlqyer. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, duke qenë vetë në krye të forcave kryengritëse, sulmoi dhe asgjësoi ushtarët e garnizonit osman në kështjellën e Çidhnës dhe pas kësaj fitoreje, ai së bashku me Moisi Golemin e Hamza Kastriotin dhe të gjithë forcat e tyre kryengritëse, sulmuan ushtarët e garnizonit osman të kështjellës së Sfetigradit.

Duke qenë se komandanti osman i Sfetigradit ishte i vendosur për të mos e dorëzuar kështjellën, terreni ishte shumë i vështirë, i mbuluar me borë dhe kur mbizotëronte një mot i paqëndrueshëm, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu urdhëroi të tërhiqen përkohësisht. Pa humbur kohë, ai u kthye në qytetin e Krujës, sepse aty ishin mbledhur të gjithë krerët e Principatës së Kastriotëve dhe disa nga princërit fqinj, të lidhur me familjen e tij, të cilët ndodheshin në festimin gazmor dhe të papritur të fronësimit të tij si Kryezot i Krujës. Ndër shumë të tjerë, mori pjesë nipi i tij, Muzaka, djali i motrës, Angjelinës, Gjoka dhe Gjergji, djemtë e Pal Stres Balshës dhe nipat nga motra e vet, Jella dhe kunati i tij, Gjin Muzaka, burri i Vllajkës. Princi i Malit të Zi, Stefan Cernojeviçi, burri i Marës, dërgoi përfaqësues me dhurata, para dhe luftëtarë, njësoj vepruan edhe princër të tjerë, që nuk mund të vinin vetë.³⁸ Kthimi i Gjergj Kastriotit në Krujë, pas udhëtimit në Mat dhe Dibër, ka ndodhur më 27 nëntor 1443 dhe ditën e nesërme, më 28 nëntor 1443, në sajë të përkrahjes së jashtëzakonshme që gjeti gjithandej, ai u shpall Zot i Principatës së lirë dhe të pavarur të Kastriotëve me qendër në qytetin e Krujës.³⁹ J.P.Fallmerayer shkruan se më 28 nëntor të vitit 1443, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u bë zot i Krujës dhe filloi rolin e tij si princ i Arbërisë, si armik i papajtueshëm i turqve dhe si Ajaks i kontinentit (gadishullit) Ilirik.

Këtu kemi një koinçidencë të çuditshme, ku përsëritet historia, sepse pikërisht më 28 nëntor 1912 pra, 469 vite pas fronësimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu në Krujë, u shpall pavarësia e Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe u ngrit flamuri jonë kombëtar, emblema e Kastriotëve, në qytetin e Vlorës. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, pasi mori përgëzimet e rastit, iu drejtua krerëve të vendit dhe të gjithë atyre që ishin të pranishëm me një fjalim prekës e frymëzues ku formula e famshme “Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu”, tashmë është kthyer në proverbiale, duke depërtuar në vetëdijen historike dhe ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve. Duke ju referuar Dh. Frangut, i cili përshkruan të gjithë kronologjinë e ngjarjeve që u zhvilluan gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të vitit 1443, ai shkruan: “Pastaj (Skënderbeu) dha urdhër që osmanët, të cilët nuk do të pranonin që të pagëzoheshin, të largoheshin.” Sipas tij,”brenda katër ditëve rimori gjithë ç’i pat lënë i ati si trashëgim, ndërsa brenda 20 ditëve shtiu në dorë tërë zotërimet turke në Arbëri. Ai shfarosi tërë turqit që gjeti, gjersa u bë Princ i Arbërisë, pikërisht i atij vendi që paguante dyqindmijë dukate haraç, përfshi këtu edhe kriporet e veta, që i kishte pranë San Nicolo della Pietra.” Kryengritja e përgjithshme kaloi në një fazë të re dhe detyra e parë për t’u realizuar në bazë të kërkesës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, ishte çlirimi i Petrelës, e cila ishte kështjella më e afërt me Krujën dhe më pas marshimi në drejtim të Petralbës e Stellushit në Mat dhe në Sfetigrad, në Dibrën e Sipërme…

Leave a Reply